Napoli eliminon mes drithërimash Lazion, natë për tu harruar për Hysaj

n2.jpg

Napoli kualifikohet mes drithërimash në gjysmëfinale të Kupës së Italisë, pasi mposhti me gol të Lorenzo Insignes (1-0) Lazion në “San Paolo”, aty ku Elseid Hysaj përjetoi një mbrëmje për t’u harruar në aspektin personal, por u shpëtua nga fakti që skuadra e tij e fitoi ndeshjen. Një mbrëmje për t’u harruar edhe për Lucas Leivan dhe Ciro Immobilen, me golashënuesin më të mirë të Serisë A që ekzekutoi në mënyre qesharake penalltinë që do të kthente baraspeshën në rezultat.

Napoli, që vinte pas një krize të thellë rezultatesh në Serinë A, kaloi në avantazh që në minutën e 2-të me Insignen, që vallëzoi mes mbrojtjes, duke mposhtur me zgjuarsi edhe portierin Strakosha. Vetëm tetë minuta më vonë, Elseid Hysaj shkaktoi penallti dhe mori edhe karton të verdhë, por Immobiles i rrëshqiti këmba duke e goditur shumë keq topin.

Në minutën e 19-të, një ndërhyrje me një kohë vonesë ndaj Immobiles, në vijën anësore, i kushtoi rendë mbrojtësit shkodran, që mori kartonin e dytë të verdhë, duke e lënë skuadrën e tij me një lojtar më pak. Forcat në fushë u barazuan vetëm pak çaste më vonë, kur Lucas Leiva, në mënyrë krejt amatore, e lëshoi më shumë se ç’duhet gjuhën, duke u ndëshkuar me karton të kuq direkt.

Minutat e fundit të ndeshjes ishin vërtet dramatike. Gjashtë minuta para fundit të kohës së rregullt Mario Rui i Napolit u ndal nga shtylla, ndërsa pa u mbushur minuta e 90-të Lazios iu anulua një gol nga sistemi VAR për pozicion jashtë loje.

Një rezultat që shpëtoi nga akuzat e eliminimit Elseid Hysajn, që brenda 11 minutave në fillim të ndeshjes mori dy kartonë të verdhë.

scroll to top