Sot është dita e dhjetë e luftimeve në Ukrainë që nga mëngjesi i 24 shkurtit, kur presidenti rus Vladimir Putin urdhëroi një “operacion ushtarak” dhe nisi sulmet në të gjithë territorin e Ukrainës.
Ministria ruse e mbrojtjes ka njoftuar armëpushim të përkohshëm dhe hapjen e korridoreve humanitare për civilët në dy qytete në juglindje të Ukrainës, Mariupol dhe Volnovakha.
Rusia thotë se ka rënë dakord për korridoret me palën ukrainase, por nuk është parë konfirmim për këtë nga Ukraina
Mariupol është një qytet-port i madh dhe ka qenë i rrethuar nga forcat ruse për disa ditë. Ndërsa në Volnovakha ka pasur luftime të ashpra.
Në pjesë të tjera të territorit ukrainas, luftimet vazhdojnë. Shpërthime të shumta u dëgjuan në Kharkiv, në veri-lindje të Ukrainës
Në qytetin lindor të Sumy, i cili është i rrethuar nga trupat ruse, granatimet filluan në orën 05:00 (02:00 GMT), sipas mediave ukrainase.