Thellohet më tej tragjedia që goditi familjen Gjoka pas shpërthimit të bombolës së gazit në një hotel në Velipojë.
Mësohet se tashmë ka ndërruar jetë edhe Alketa Gjoka, nëna e vajzave që humbën jetën më herët për shkak të plagëve të marra.
Tani i vetmi i mbijetuar mbetet djali i vogël i familjes i cili është në gjendje kome. Alketa Gjoka bashkë me tre fëmijët e saj pësuan djegie të rënda nga shpërthimi i bombolës brenda hotelit në Velipojë.
Sipas dëshmive të familjarëve, 40-vjeçarja ishte duke bërë kafen dhe në momentin kur ka marrë shkrepësen është përhapur flaka, duke shkuar deri në shtratin e fëmijëve.
Ngjarja e rëndë ndodhi mëngjesin e datës 4 korrik kur hoteli 3 katësh në pronësi të kësaj familje u përfshi nga flakët.
Në momentin e shpërthimit nuk kishte turistë në godinë, por flakët qenë fatale për nënën dhe vajzat e saj.
Plagëve të marra nga flakët nuk mundi t’u mbijetojë Danjela Gjoka 19-vjeçe dhe Klarisa 15 vjeçe. gjallë është vetëm Enriku 12 vjeç.