Për të 15 ditë me radhë në Karaburun vijojnë të digjen pyjet dhe pemët shekullore, ku situata paraqitet me rrezikshmëri të lartë në zonën e quajtur Gropat e Pirit.
Zjarri në këtë zonë paraqet një rrezikshmëri të lartë pasi rrezikon edhe parkun kombëtar të Llogarasë. Janë 300 forca që janë ngjitur në orët e para të mëngjesit në malin e Karaburunit dhe pikërisht tek vendi i quajtur Gropat e Pirit, ku është një masiv pyjor me pemë shekullore i cili lidhet me Llogaranë.
FA, zjarrfikës të Vlorës, ADZM, prefektura por dhe banorë të Dukatit janë duke u ngjitur në mal për fikjen e zjarreve të ndihmuar edhe nga helikopterët. Ndërsa zjarri mbi fshatin Dukat është vënë nën kontroll dhe nuk përbën rrezik.
Situata zjarreve në të gjithë vendin
Zjarri në Majën e Rrunës në Kukës vijon të jetë ende jashtë kontrollit, sidomos në pjesë sipër tunelit të Kalimashit ku ndërhyrja është e vështirë. Gjatë ditës së sotme pritet që helikopteri të ndërhyjë sërish për të bërë të mundur vënien nën kontroll të flakëve. Zjarri në drejtimin të vendit të quajtur Laku i Thive është aktive. Edhe në drejtimin sipër Tunelit Kalimashit me gjithë punën e bërë nuk është bërë e mundur izolimi dhe futja nën kontroll e këtij drejtimi.
Drejtimi i zjarrit ì Qafës së Kumbullë po shkon në drejtimin e fshatit Trull Njesia Administrative Surroj, ndërsa zjarri i Majës se Rrunës (laku I Thive) po shkon në drejtim të fshatit Shemri Njesia Administrative Malzi bashkia Kukës.
Në fikjen e zjarrit janë angazhuar 12 forca zjarrfikëse, 5 punonjës të pyjores, 20 forca nga komunitet, mjet zjarrfikës si dhe forca te emergjencës civile te Bashkisë Kukës.Nga ana tjetër, përmirësim të situatës ka shfaqur zjarri në pyjet e Voskopojës, ku zjarri i rënë mbrëmë është drejt shuarjes. Vatra e zjarrit e rënë dje në pyjet me pisha të Krushovës janë pothuajse drejt fikjes. Rënia e intensitetit të flakëve ka ardhur edhe si pasojë e temperaturave të ulura gjatë natës.
Në terren janë punonjës, zjarrfikës dhe forca të armatosura që kanë nisur punën që në 5 të mëngjesit, ku ka ende dy vatra të vogla aktive një në pyjet e Krushovës dhe një në fshatin Gjonomadh.
Në Gjonomadh, zjarr i cili ka rënë qysh ditën e djeshme, janë 10 trupa zjarrfikëse të cilat janë duke u përpjekur për të izoluar flakët.
Edhe në fshatin Gjorgos të Fier situata është përmirësuar ndjeshëm ku flakët janë vënë në kontroll dhe po mundohen të shuhen nga zjarrfikësja.
Vatër aktive ka edhe në Corush të Mallakastrës, por pa probleme të mëdha.