Fushë Kruja është zgjuar mëngjesin e sotëm e rrethuar nga forca të shumta policie që po zhvillojnë një operacion masiv anti-drogë.
Sipas policisë operacioni është me fokus Niklën dhe objektiv goditjen e fenomenit të kultivimit të kanabisit, por edhe kapjen e personave në kërkim.
Mësohet se sot në operacion janë 13 furgonë dhe makina policie në Nikël dhe Ishëm. Burime pranë policisë bëjnë të ditur se në dy zonat që është stacionuar policia janë evidentuar nga droni 31 parcela me kanabis në fshatrat e thellë të Niklës dhe 12 në Ishëm.
Zbarkimi i furgonëve të policisë me forcat e FNSH-së të mbështetur nga drejtoria e policisë Durrës. Ende nga policia nuk ka asnjë njoftim lidhur me bilancin e operacionit, por mësohet se ai është ende në vijim dhe orët e ardhshme, Policia e Shtetit do të publikojë të dhënat zyrtare.
Nikla ka qenë disa herë qendër e operacioneve të befasishme, por jo gjithmonë rezultatet kanë qenë të pritshme.