Tek ndeshja e mbrëmshme e futbollit kanë vërshuar në fushë jo vetëm emocionet e një beteje spektakolare, por po ashtu të gjitha ndjesitë për padrejtësitë që provojmë çdo ditë në jetën tonë.
Parakaluan aty triumfalizmi pa meritë, lavdia pa arsye e suksesi i pabazë.
Tek Danimarka secili mund të shohë dikë që përpiqet, rreket, lodhet dhe që me personalitet dhe karakter ja del të dominojë.
Ndërsa Anglia që gëzonte venerimin pa shkak, i ngjante atij djalit të llastuar që mes privilegjesh noton, i cili ka arritur shumë falë parave të të atit, dhe ja del të fitojë zemrat që ditën e parë, pa qënë nevojë të djersijë asnjë dekikë, sepse ka trashëguar perandorinë që e paketon si joshës automatikisht. Danimarka mori pjesë në një konkurs ku vendi mesa duket ishte i zënë, me gjithë shkëlqimin që tregoi në 120 minuta.
Ndeshja e mbrëmshme ishte kujtesë për të gjithë ata që kanë vuajtur nga garat fiktive, dhe nga shtigjet e mbyllura për shkak të elitave të fuqishme, apo lidhjeve okulte.
Pas rezultatit sidoqoftë ka një bilanc.
“Spoiled boy” e kapi finalen gjithë duke shtuar skepticizmin, kontestimin dhe me rënie të krediteve në publik, ndërsa modesti i talentuar që la shpirtin në fushë, u kthye në shtëpi po e sigurtë se ka sot më shumë ndjekës, më shumë mbështetës, dhe më shumë dashuri.
Vetëm se në futboll vendos rezultati, dhe janë ato pikët e mallkuara që kanë vlerë. Siç edhe në të përditshmen tonë, janë milionat që të hapin dyert e të japin pushtet.