Gjykata e Durrësit ka caktuar masën e sigurisë “arrest me burg” për shoferin e kamionit Sulo Paja që u kap me 17 kg heroinë.
Kujtojmë se për shoferin vlonjat u dyshua se në kamion kishte drogë kur po kalonte në Han të Hotit drejt Malit të Zi pak ditë më parë.
Nga një kontroll i thjeshtë, lënda narkotike nuk u zbulua në Han të Hotit, por nga dyshimet e policisë kamioni u dërgua në Portin e Durrësit, për kontroll të detajuar me skaner. Në portin e qytetit bregdetar, rezultoi nga skaneri se në kamion ishte fshehur 17 kilogramë heroinë pranë serbatorit. Pas arrestimit nga policia, shoferi nga Vlora tha se s’kishte dijeni për drogën, ndërsa shtoi se ai është thjesht punëtor dhe do ngarkonte hekur.