Gjykata e Tiranës ka lënë në burg 14 persona mes të cilëve edhe mjeku i QSUT Klodian Muharremi, pasi akuzohen se falsifikonin përgjigjet e testeve të Covid.
E vetmja që u lirua me detyrimin për tu paraqitur në prokurori është mjekja e një farmacie, Marinela Kalaja.
Në dosjen e siguruar mësohet se hetimi ka nisur pas kallëzimit në prokurori të një prej administratorëve të laboratorëve privatë me pretendimin se përmes falsifikimit të testeve Covid, ishte dëmtuar imazhi i kompanisë.Nga hetimet ka rezultuar, se Ronald Karrica është personi që organizonte skemën kriminale.
Ai bashkëpunonte me personat e tjerë dhe realizonin printimin e testeve Covid duke falsifikuar logot e disa laboratorëve.
Për çdo vërtetim merrnin nga 15 deri në 25 euro.
Sipas prokurorisë, Karrica që është edhe pronari i një dyqani internet-fotokopje, bashkëpunonte me punonjës të agjencive turistike që prenotonin teste false për persona të ndryshëm kundrejt pagesës.