Kryeministri Edi Rama ka reaguar pas marrëveshjes së arritur nga vendet anëtare të BE për heqjen e kufizimit të udhëtimit për 8 vende, duke përfshirë këtu Shqipërinë, Serbinë dhe Maqedoninë e Veriut.
Rama shkruan në “Facebook” se Shqipëria ja doli edhe kësaj sfide, ndërsa thekson se nuk do të ndalet deri në ngjitjen drejt majës.
“Bashkimi Europian ka hequr kufizimet e udhëtimit për udhëtarët nga tetë vende dhe territore jashtë BE, duke përfshirë edhe Shqipërinë.
Ia dolëm edhe kësaj sfide, sepse ne, Shqipëria, nuk ndalemi më në ngjitjen tonë drejt majës ku e meritojnë fëmijët tanë”, shkruan Rama në Facebook.
Po çfarë duhet të dini nëse keni plane të udhëtoni?
Vendet e BE-së ende mund të zgjedhin individualisht të kërkojnë një test negativ COVID-19 ose një periudhë karantine. Nëse kërkohet, qytetarët duhet të paraqesin një test negativ për Covid-19 të bërë 72 orë nga nisja. Gjithashtu qytetarët mund të paraqesin dokumentin që vërteton se ata janë të vaksinuar.
Raportimet flasin se të paktën 10 vende të unionit pritet që të njohin së shpejti edhe vaksinën kineze dhe atë ruse.