Ashtu siç paralajmëruan, maturantët janë hedhur në protestë kundër testit të Matematikës. Ata janë mbledhur para Ministrisë së Arsimit, ndërsa kanë bllokuar Rrugën e Durrësit. Pasi janë ulur në rrugë, maturantët kanë lëshuar në kor thirrjen; “Duam drejtësi!”.
Maturantët kërkojnë që të ulet pikësimi për testin e Matematikës, i cili u zhvillua dje ndërkohë që ata pretendojnë se në këtë provim pati pyetje jashtë programit. “Uljen e pikësimi, provimi ishte i vështirë, pasi ishte një test universitar. Kjo është mënyra jonë. Do vazhdojmë të rrimë këtu deri sa të na plotësohen kërkesat”, tha një maturant.