Delegacioni i Bashkimit Evropian në Shqipëri ka reaguar përsa iu përket rregullave të reja të vendosura nga Kuvendi, duke u ndaluar gazetarëve dhe medies të jenë pjesë e komisioneve parlamentare.
Përmes një reagimi zyrtar, delegacioni shpreh keqardhje për vendimin, duke shtuar se këto rregulla nuk janë në përgjigje të udhëzimeve të BE. Sipas tyre, Kuvendi duhet të konsultohej me mediat pasi qasja e tyre në parlament është element i rëndësishëm për një demokraci liberale.
“Dëgjesat publike dhe qasja e mediave në Parlament për të mbuluar punën e seancave dhe komisioneve të tij janë elemente të rëndësishme të një demokracie liberale.
Keqardhje për mungesën e konsultimeve me mediat përpara miratimit të rregullave të reja nga Parlamenti. Këto rregulla nuk janë në përgjigje të udhëzimeve të BE-së ose këshillave të dhëna nën ndihmën e IPA-s, të nisura në këtë kontekst në vitin 2014.“- thuhet në reagimin e delegacionit të BE në Shqipëri.
Kujtojmë se, gjatë një proteste ditën e sotme para sallës së seancave plenare, gazetarët e terrenit theksuan se vendimi i Byrosë së Kuvendit për të përjashtuar gazetarët e akredituar nga aksesi i komisioneve parlamentare është cenim i pastër i punës dhe lirisë së medias.
Për gazetarët ky vendim është jashtë çdo logjike, pasi pengon punën e gazetarëve, misioni i të cilëve është të transmetojnë gjithçka që shohin dhe jo atë që iu servirin institucionet shtetërore.