Samiti i liderëve të rajonit dështoi që të prodhonte një deklaratë të përbashkët dhe në një pjesë të mediave serbe u raportua se shkak për këtë kishte qenë refuzimi i Kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti për të firmosur një dokument ku nuk përmendej Republika e Kosovës.
Qeveria e Kosovës, nga ana tjetër, thotë se shkak i mosdaljes me një deklaratë të përbashkët ka qenë Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, që ka vendosur ta tërheqë dokumentin.
“Lajmi për refuzimin e nënshkrimit të deklaratës së përbashkët nga Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, është i pavërtetë. Deklarata është tërhequr nga vetë mikpritësi i takimit, pasi është vërejtur që ka dallime të mëdha mes Kosovës dhe Serbisë”, deklaroi zëdhënësja e Qeverisë së Kosoës, Rozafa Kelmendi.
Disa media serbe raportuan se ishte Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ai që refuzoi nënshkrimin e deklaratës së përbashkët, për shkak se në këtë deklaratë nuk shkruhej “Republika e Kosovës”.