Kur vendosi të bombardojë një pallat në Gaza, ku strehoheshin dhe kishin zyrat një pjesë e mediave ndërkombëtare, përfshirë këtu agjencinë amerikane Associated Press, Izraeli nuk dha asnjë shpjegim, por thjesht u kërkoi që të largohen prej ndërtesës.
Tashmë që konflikti 11 ditor është mbyllur prej pak javësh, Tel Avivi sqaron se kulla në fjalë po përdorej nga Hamasi për të sabotuar sistemin e tij anti-raketë “Kupola e Hekurt”.
Një deklaratë e ushtrisë izraelit tha se prej kësaj ndërtese Hamas po përconte “Signit” (Sinjale Inteligjence), Elint (Sinjale elektronike inteligjence) edhe operacione të tjera të luftës elektronike, qëllimi i të cilave ishte çoroditja dhe nxjerrja jashtë funksionit e Iron Dome.
Ambasadori i Izraelit në OKB i kërkoi ndjesë agjencisë së lajmeve AP dhe shprehu gatishmërinë e vendit të tij për të financuar rindërtimin e atyre zyrave.
Më shumë se 3 mijë raketa u hodhën nga Hamasi në drejtim të Izraelit në konfliktin e fundit 11 ditor. Izraelit tha se 90 për qind e tyre u kapën nga “Kupola e Hekurt”, sistemi i tij antiraketë. Pjesa tjetër ra në tokë duke shkaktuar edhe 12 viktima mes civilëve.
Agjencia amerikane e lajmeve tha se priste që Izraeli t’i vendoste në dispozicion provat që godina ku po ushtronte ajo aktivitetin e saj po përdorej nga Hamasi për operacione elektronike. Vetë Hamasi nuk ka bërë asnjë koment në lidhje me këto deklarata të Izraelit.