Në krye të aksionit për prishjen e ndërtimeve pa leje në zonën turistike të Velipojës ka qenë sot vetë zëvendësministri i brendshëm Besfort Lamallari, i shoqëruar edhe nga numri 2 i Policisë së Shtetit. Në një prononcim për mediat, Lamallari ka bërë me dije se aksioni i nisur sot nga dy skajet e vijës bregdetare, Velipoja dhe Ksamili, do të shtrihet në të gjithë vendin, ashtu siç kishte paralajmëruar edhe kryeministri Rama.
Në përgjigje të pyetjeve të gazetarëve, Lamallari ka shprehur sigurinë se aksioni i shembjes së ndërtimeve pa leje në nisje të sezonit turistik, nuk do të ndikojë në imazhin e gabuar të tursitëve. Madje, e ka vlerësuar pozitivisht, duke u shprehur se ndikon në idenë e funksionimit të shtetit dhe punës së agjensive ligjzbatuese në këtë vend. Numri 2 i ministrisë së brendshme ka thënë se puna në Velipojë do të vijojë deri në shembjen e objekteve të identifikuara pa leje.
Lamallari ka folur edhe për përgjegjësi të agjensive ligjzbatuese apo institucioneve në nivel qendror e vendor për situatën e krijuar në Velipojë dhe në bregdetin shqiptar. Ai ka paralajmëruar sanskioneve ekonomike- gjoba por edhe penale për shkelësit e ligjit. Po ashtu, ai ka lënë të kuptohet se do të ketë masa apo sanksione edhe për institucionet që e kanë patur për detyrë të veprojnë dhe nuk kanë vepruar për parandalimin e ndërtimeve pa leje.