Komiteti Drejtues i Shoqatës së Bashkive të Shqipërisë ka bërë kërkesë për mbledhje të jashtëzakonshme të asamblesë së përgjithshme të martën në orën 10:30.
Në shkresën në emër të kryebashkiakut të Lezhës, Pjerin Ndreu, thuhet se qëllimi i kërkesës është për mbrojtjen e interesave të shoqatës së bashkive të Republikës së Shqipërisë gjatë përfaqësimit të saj më 23 qershor në Gjykatën Kushtetuese, ku shqyrtohet vlefshmëria e zgjedhjeve vendore të 2019-s.
Shoqata e Bashkive që prej 2009-s mbledh në radhët e saj bashkitë e djathta, por tashmë ajo ka në këtë krah politik vetëm Voltana Ademin, të cilën ligji e la në detyrë pas tërheqjes nga marrja e mandatit të socialistit Valdrin Pjetri.
Drejtuesit e bashkive të majta janë pjesë e shoqatës për autonomi vendore e drejtuar nga Erjon Veliaj. Pas bojkotit të zgjedhjeve nga PD në 2019, bashkitë e djathta, veç Shkodrës, u bënë me drejtim socialist dhe janë ato që kërkojnë largimin e Voltana Ademit që siç konstatojnë po qëndron përtej afateve në drejtim të shoqatës.
Asambleja mblidhet vetëm pak ditë nga shqyrtimi i padisë për zgjedhjet. Ndërkohë, vetë padia është ngritur për gjetjen jolegjitime në detyrë të kryebashkiakëve të majtë, që pas të martës duan të drejtojnë Shoqatën e Bashkive të kryesuar nga Voltana Ademi dhe të flasin ata në emër të kësaj padie në Gjykatën Kushtetuese.
Pak ditë më parë, Ademi vuri në dijeni ndërkombëtarët se qëllimi i kësaj lëvizjeje është tërheqja e padisë në Gjykatën Kushtetuese. Megjithatë ligji për funksionimin e kësaj gjykate ia la në dorë asaj të vendosë, sepse parashikon se nëse çështja ka interes publik, Kushtetuesja vijon shqyrtimin dhe nuk e pushon atë.