Në këtë përvjetor të rëndësishëm, duhet të jemi bashkarisht krenarë, që bashkëpunimi ndërmjet Shqipërisë dhe Norvegjisë është zgjeruar dhe thelluar ndër vite dhe është bërë gjithmonë e më shumë përmbajtësor. Angazhimi strategjik i Mbretërisë së Norvegjisë në rajonin tonë dhe ndjenjat e ndërsjella miqësore janë trualli mbi të cilin janë hedhur themelet e një marrëdhënieje gjithmonë e më të qëndrueshme mirëbesimi dhe partneriteti. Qeveria norvegjeze ka treguar seriozitet dhe angazhim mbresëlënës në të gjitha programet zhvillimore dhe ndihmuese për Shqipërinë.
Po ashtu, investimi më i madh i huaj i regjistruar në Shqipëri, në një sektor strategjik si energjia, përmes kompanisë ‘Statkraft’ me vlerë rreth 600 milion euro, është një shembull i shkëlqyer i vullnetit të përbashkët politik për zhvillimin e marrëdhënieve gjithnjë e më përmbajtësore ndërmjet dy vendeve tona. Personalisht, gjithmonë kam qenë admirues i kulturës politike të vendeve si Norvegjia, të cilat i prijnë vullnetit përmes shembullit të punës dhe veprimit konkret.
Siç e ka shprehur dhe dramaturgu i famshëm norvegjez Henrik Ibsen: ‘Një mijë fjalë nuk mund lenë mbresë po aq të thellë sa një veprim i vetëm’. Një tjetër element frymëzues i kësaj feste është edhe fakti që nderojmë sonte ditën e Kushtetutës Norvegjeze, e dyta në botë për nga vjetërsia, që i ka mbijetuar në thelb ndryshimeve të kohërave, që nga viti 1814.
Ky fakt domethënës është tregues i kulturës politike dhe kohezionit shoqëror të Mbretërisë së Norvegjisë duke e konsideruar Kushtetutën si një instrument demokratik për ndarjen e qartë të pushteteve, për ruajtjen e balancës dhe kontrollit, për të ndërtuar mirëqenien përmes bashkëpunimit dhe gjithëpërfshirjes. Këto fakte por edhe të tjera, e kanë bërë Norvegjinë të quhet me të drejtë, vendi më europian, jashtë Bashkimit Europian. Është e admirueshme, që në Norvegji, kjo ditë festohet përmes paradave të fëmijëve, atyre që përfaqësojnë të ardhmen shpresëplotë të çdo vendi. Duke e uruar Mbretërinë e Norvegjisë për festën, dhe 50-vjetorin e marrëdhënieve diplomatike ndërmjet nesh;
Si dhe duke ju falënderuar të gjithëve për praninë tuaj, më lejoni që të përcjell urimet më të përzemërta për Madhërinë e tij Mbretin Harald V dhe Qeverinë e Norvegjisë, me dëshirën që marrëdhëniet tona dypalëshe të përparojnë edhe më tej, në interesin më të mirë të të dy popujve tanë!