Teuta shpallet kampione e Shqipërisë pas 17 vitesh. Durrsakët e Edi Martinit e mbyllën me një fitore të thellë ndaj Apolonisë së rënë nga kategoria. 5 gola shënuan në ndeshjen e fundit të sezonit, 3 prej të cilëve Dejvi Bregu një Lorenco Vila dhe një Arapi.
Skuadrat e tjera pretendente, Partizani dhe Vllaznia luftuan deri në fund me shpresën e ndonjë mrekullie por djemtë e detit e kishin përgatitur mirë ndeshjen dhe nuk u ndalën derisa krijuan distancë edhe me gola në 90 minutëshin final.
Festë në stadiumin “Niko Dovana” pas një sezoni mjaft të mirë. Teuta ishte ndoshta ekipi që tregoi më shumë stabilitet në të 4 fazat e kampionatit. Ishte skuadra që barazoi më shumë ndeshje, shënoi më pak gola në krahasim me skuadrat e tjera pretendente, por pësoi më pak nga të gjitha.
Ky është trofeu i dytë në dy sezonet e fundit për durrsakët. Nën drejtimin e Edi Martinit një vit më parë siguruar edhe kupën e Shqipërisë. Në ndeshjet e tjera Vllaznia fitoi 2-0 ndaj Laçit në një “Loro Boriçi” të mbushur me tifozë.
Partizani fitoi 4-2 me Bylisin, por ballshiotët janë ekipi i dytë pas Apolonisë që do të bjerë nga kategoria. Pas fitores me Kukësin, Kastrioti do të luajë në play-out. Një ndeshje e fundit për të siguruar qëndrimin në Superligë.