Ka shkuar në 14 numri i të vdekurve nga aksidenti i rëndë që ndodhi mesditën e sotme në Itali ku një kabinë teleferiku është shkëputur dhe ka rënë nga rreth 1500 metra lartësi.
Ngjarja e rëndë është shënuar në provincën e Verbania-Cusio-Ossola të Italisë. Një kabinë teleferiku në Stresa-Mottarone me 15 persona brenda u shkëput në pikën më të lartë të saj në 1 491 metra dhe ra.
Mediat Italiane shkruajnë se njeri nga dy fëmijët që ishin transportuar në gjendje të rëndë në spital ka ndërruar jetë. Viktima është një i mitur 9 vjeç, ndërsa një 5-vjeçar është ende i shtruar në gjendje të rëndë.
“Ne bëmë gjithçka që ishte e mundur, por pas disa orësh duke provuar gjithçka nuk mundëm t’ia dilnim dot”, tha drejtori i përgjithshëm i spitalit, i informuar nga mjekët që ndoqën trajtimin e të miturit.
Incidenti, ndodhi rreth orës 12:30 minuta të mesditës së sotme rreth 100 metra larg shtyllës së fundit të stacionit të mbërritjes.
Teleferiku në zonën e Mottaron ishte hapur më 24 prill, e cila për më shumë se një vit ka qenë e mbyllur për shkak të pandemisë së Covid-19.