Një sasi tritoli ka tronditur lagjen “Qafë Hardhi” në Shkodër në orët e para të mëngjesit. Sasia e tritolit është vendosur në banesën e shtetasit Nikolin Arra, ish basketbollist i Vllaznisë dhe po ashtu ish punonjës i tatimeve në Shkodër. Në momentin e shpërthimit të tritolit brenda shtëpisë nuk ndodhej asnjë prej anëtarëve të kësaj familje sepse të gjithë momentalisht janë jashtë Shqipërisë në Amerikë dhe Irlandë. Ish basketbollisti është në Shtetet e Bashkuara. Ngjarja ka ndodhur rreth orës 2:30 të mëngjesit të 6 shkurtit teksa tritoli që ka shpërthyer ka qenë i telekomanduar. Në vendngjarje janë gjetur disa copa të celularit që ka bërë të mundur shpërthimin. Sasia e tritolit të paktën nga dëmi që ka shkaktuar duket e konsiderueshme. Banesa ka pësuar dëme relativisht të mëdha nga ky shpërthim i fuqishëm. Ajo lagje është e banuar nga shumë shtëpi të cilat janë afër njëra-tjetrës dhe shpërthimi ka shqetësuar ndjeshëm sepse pothuajse të gjithë e kanë dëgjuar. Janë end etë paqarta arsyet e kësaj ngjarje të ndodhur por ka dyshime se është një mesazh për ish basketbollistin e Vllaznisë Arra lidhur me kohën kur ai ka qenë punonjës i tatimeve në Shkodër. Disa kohë më parë Arra ka patur edhe një proces gjyqësor i dyshuar fillimisht bashkë me disa inspektor të tjerë për korrupsion por pas afro një viti të gjyqeve ka marrë pafajsinë bashkë me inspektorët e tjerë. Policia ende nuk ka arritur që të identifikojë autorët e vendosjes së tritolit në këtë banesë. Ndërkohë që shumë afër vendit të ngjarjes është shtëpia e anëtarit të Këshillit të Lartë të Prokurorisë Vat Staka. Në fakt ky i fundit nuk ka asnjë lidhje me këtë ngjarje sepse tritoli është vendosur në një banesë tjetër por duke qenë se shtëpia e tij është afër një patrullë policie ka qëndruar aty deri në orët e para të mëngjesit kur ka dalë nga shtëpia për të shkuar në punë. Policia po punon për të gjetur autorët e vendosjes së tritolit dhe për ta zbardhur të plotë këtë ngjarje të ndodhur.