Shoqata e Gjuetarëve të Shkodrës ka zhvilluar sot një takim me një pjesë të anëtarëve, në kuadër të riorganizimit nga e para të strukturave të reja dhe grupeve të gjuetarëve sipas ndarjes së re territoriale. Sipas kreut të kësaj shoqate Zyhdi Mustafa shtyerja e moratoriumit të gjuetisë ka ngjallur reagime të shumta dhe pakënaqësi, në radhët e anëtarëve të shoqatës, por pas shumë kërkesash drejtuar qeverisë dhe minsitrisë së mjedisit , duket se për ta së shpejti do të celet drita jeshile, për rihapjen e gjuetisë brenda kritereve që ligji parashikon.
Por sipas shoqatës së gjuetisë me hartimin e listave të reja për vitin 2020 , do të reduktohet edhe numri i gjuetarëve të kësaj shoqate në Shkodër, ku deri në vitin 2013 kishte të regjistruar rreth 800 të tillë, teksa shumica prej tyre nuk kanë zbatuar me përpikmëri rregullat e gjuetisë.
Në vitin 2014 qeveria Rama miratoi moratoriumin që ndaloi kategorikisht pa afat ndalimin e gjuetisë se kafshëve dhe shpendëve të egra, pasi pas viteve ’90 në vend u krye një masakër e madhe e faunës shqiptare. Masakra ishte aq e madhe sa u zhdukën specie si fazani, derri, lepuri e deri tek kafshët e tjera migratore.