Haradinaj pret zv.ndihmës sekretarin e SHBA-së: Kemi bërë progres në sektorin e sigurisë

ZKM-23-01-2020-4-780x439-1.jpg

Zëvendësndihmës sekretari i shtetit nga Byroja për Çështje Ndërkombëtare të Narkotikëve dhe Zbatimit të ligjit, Jorgan K. Andrews, takoi paraditen e sotme kryeministrin në detyrë, Ramush Haradinaj.

Shefi i ekzekutivit kosovar tha se me zyrtarin amerikan kanë biseduar për partneritetin e Kosovës me SHBA-në, në luftë kundër trafikimit të narkotikëve, krimit të organizuar dhe korrupsionit.

“Theksova se Kosova ka shënuar progres të rëndësishëm në fuqizimin e sektorit të sigurisë, veçmas duke forcuar policinë, prokurorinë dhe gjykatat dhe është partner i denjë edhe për operimet globale në këtë fushë”, tha Haradinaj.

Ai shtoi se ka falënderuar Andrews për ndihmën e pakursyer që SHBA ka dhënë dhe po vazhdon të japë në forcimin e institucioneve të vendit.

“Kërkova nga ai që ky partneritet të vazhdojë edhe në të ardhmen, duke shprehur gatishmërinë e institucioneve tona, karshi përgjegjësive të përbashkëta. Kosova ka arritur të ndërtojë institucione kredibile dhe të avancojë në profilizimin e tyre, falë edhe partneritetit me SHBA dhe sot jemi të gatshëm të qëndrojmë në krah me vendet aleate, në sigurimin e paqes dhe stabilitetit, jo vetëm për qytetarët tanë”, tha Haradinaj.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

scroll to top